Comment are off

Të huajt në Shqipëri, për pushime dhe biznes

img_6120Pjesa dërrmuese e të huajve që vizituan Shqipërinë në vitin 2017 kishin qëllim pushimet dhe bërjen biznes. Sipas statistikave zyrtare, vizitat e shtetasve të huaj për turizëm përgjatë 2017 janë rritur me 24 përqind krahasuar me vitin 2016.

“Gjithsej hyrjet e shtetasve të huaj arrijnë në shifrën rekord prej 5.117.700 personash për vitin që lamë pas,nga të cilët 2.37 milion kanë deklaruar si qëllim turizmin”, shprehet kreu i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, në një prononcim për ATSH-në.

Çollaku thotë se rritja dyshifrore e numrit të shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për pushime është falë investimeve në rritje nga qeveria shqiptare, përmirësimit të imazhit, promocionit, marketingut dhe pjesëmarrjes në disa Panaire Ndërkombëtare të Turizmit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit bashkë me operatorë turistikë vendore.

Rritja e vizitorëve të huaj për pushime vuri në dukje ai, është parë jo vetëm në vijën tonë bregdetare, ku janë dhe plazhet më të reklamuara si, ai i Sarandës, Dhërmiut, Vlorës, Durrësit apo Shëngjinit e Velipojës, por edhe në zonat tona malore pati më shumë lëvizje vizitorësh të huaj.

Ndërsa viti që lam pas rezultoi mjaft i suksesshëm në sektorin e turizmit, qeveria pret që 2018- të njohë ritme edhe më të larta rritjeje të numrit të turistëve të huaj.

Disa operatorë të huaj turistik e kanë vendosur Shqipërinë në ofertat e tyre për këtë vit si një ndër destinacionet që duhet patjetër të vizitohet.

Së fundmi ishte kompania skandinave “APOLLO” , që e ka shtuar ofertën e saj turistike duke e vendosur Shqipërinë si një destinacion kryesor për turistët skandinav gjatë vitit 2018.

Oferta e saj erdhi pasi u pa një rritje e lartë e numrit të turistëve skandinavë që kërkonin informacione për Shqipërinë.

Interesi, shton Çollaku erdhi pas promovimit që AKT i ka bërë Shqipërisë në mediat daneze, suedeze e më gjerë. Tashmë kompania Apollo ka lidhur kontrata të reja direkte me operatorët privat të sektorit turistik shqiptar. Për këtë arsye duke nisur nga muaji maj e deri në tetor do të fillojnë edhe fluturimet charter direkte pranë aeroportit të Rinasit.

Më herët edhe revista zvicerane Travel News, emisioni prestigjoz i Rai 3 “KILIMANGIARO” që flet mbi udhëtimet dhe destinacionet turistike në mbarë botën, apo revista franceze “InfoMagazine”rekomanduan Shqipërinë në top destinacionet për t’u vizituar në 2018. Me peisazhet e saj të larmishme, sitet arkeologjike, gastronomine, florën dhe faunën e pasur dhe parqet kombëtare e natyrore unike në rajon Shqipëria është e gatshme të mirëpresë çdo vit më tepër vizitorë.

Rritje dyshifrore pati edhe numri i shtetasve të huaj që erdhi në Shqipëri për qëllime biznesi dhe pune. Sipas INSTAT-it, gjatë të gjithë vitit të kaluar janë 68 527 persona me shtetësi të huaj, ose 16.6% që kishin mision të tyre biznesin.

About the Author