Comment are off

Panairi MTF 2017 ne Tiranë, 2500 vizitorë

Ka përfunduar me sukses Panairi i parë  Mesdhetar I Turizmit në Tiranë, i organizuar në Expocity, në Tiranë nën kujdesin e Ministrisë së zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Panairi veç ceremonisë festive të hapjes së tij, përurimit simbolik të një eventi që synon të bëhet i përvitshëm në Shqipëri dhe synon të fuse Shqipërinë në kalendarin botëror të panaireve turistike, pati dhe një axhendë shumë të pasur me aktivitete. Gjithsej ishin 72 stenda, 120 subjekte pjesëmarrëse nga 5 shtete të Mesdheut. Pjesëmarrësit ishin Agjenci Turistike, operatorë turistikë, biznese, shoqata por risia e këtij panairi ishte prezenca e mbi 30 bashkive përmes zyrave turistike të tyre, ku prezantuan produktet turistike të njohura dhe të panjohura për secilën zonë. Numri i vizitorëve në të dy ditët e panairit ishte rreth 2500. Panairi përvec ekspozimit të produkteve turistike, ka shërbyer dhe si një vend për ndarjen e mendimeve, eksperiencave dhe trajtimit të tematikave të ndryshme se ku jemi me turizmin si Shqipëri, por dhe si rajon dhe se ku duhet të shkojmë. Janë zhvilluar gjithsej 4 sesione me tematika të ndryshme.

Sesioni i parë: Bashkëpunimi rajonal në turizëm duke marrë në konsideratë kontekstin e Vitit 2017 si Viti Ndërkombëtar I Turizmit të Qendrueshëm, sfidat dhe perspektiva afatgjatë. Ky panel u fokusua në bashkëpunimin rajonal në fushën e turizmit me qëllim kryesor rritjen ekonomike, gjithpërfshirjen sociale, punësimin dhe uljen e varfërise, përdorimin efikas të burimeve, mbrojtjen e mjedisit, vlerave kulturore, diversitetin dhe trashëgiminë etj.

Në sesionin e parë mbajti një fjalë dhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj Milva Ekonomi, e cila ndër të tjera tha se Ballkani i dalë nga luftrat tashmë në paqe, ka një mundësi unike për t’I treguar botës një rajon të paeksploruar por që mendon për një zhvillim të përbashkët. “Gjithë rajoni ynë është përfshirë në atë që quhet projekti i ndërlidhjes ballkanike, ku synojmë të hapim kufijtë tanë tregtarë dhe kufijtë tanë rrugorë e energjetikë, duke i dhënë kështu ndihmë zhvillimeve ekonomike”, – tha Ministrja Ekonomi. Ajo përmendi disa produkte turistike që janë ballkanike dhe duhen çuar me tej, dhe duhen marrë si shembull si Via Dinarica, por apo projektet e GIZ për të ndërtuar atë që quhet piku i Ballkanit që lëviz mes tre vendeve, Shqipëri- Kosovë e Malit të Zi.”

Në të njëjtën linjë vazhdoi dhe përfaqësuesja maqedonase në panel, Lela Krstevska Drejtore e Agjencisë Për Promovim dhe Përkrahje të Turizmit, e cila tha se në shumë panaire të largëta, ku ftohen grupe aziatike apo japonezë për të vizituar Ballkanin, kompanitë turistike të Ballkanit duhet të ofrojnë paketa të përbashkëta, pasi askush nga aq larg nuk vjen për të parë vetëm një vend të vetem, por gjithë rajonin, pasi vijnë për të kaluar një kohë më të gjatë dhe më cilësore.

Brajan J Williamsh, përfaqësues i Kombeve të Bashkuara në Tiranë, i cili foli në kontenstin e vitit 2017 si viti ndërkombëtar i turizmit të qëndrueshëm për zhvillim, shprehu entuziazmin e tij lidhur me se cfarë imazhi ka pasur deri pak vite më parë Shqipëria jashtë vendit, dhe sa bukuri natyrore dhe vecanti unike ka realisht, të cilat ia vlen t’i prezantohen pjesës tjetër të botës. Ai u impresionua nga prania e gjithë e bashkive në këtë panair dhe gamën e produkteve që ata kishin për të promovuar.

Sesioni i dytë kishte të bente konkretisht me artin e krijimit të atraksioneve të reja, shembull, Via Dinarica;

Sesioni i trete kishte në fokus rajonet dhe impakti në turizëm dhe sesioni i 4t: zhvillimi i Turizmit si një mundësi e rritjes ekonomike te Komuniteteve lokale. Në këtë të fundit, Hanes Jurgen Cassens, drejtor i GIZ në Shqipëri informoi se projektet e GIZ në Shqipëri synojnë pikërisht këtë: rritjen ekonomike për komunitetet lokale.

Tashmë GIZ po punon në Jug të Shqipërisë, në zonat rurale për të çuar eksperiencën e Valbonës apo Thethit, si një mënyrë turizmi të qëndrueshëm për të rritur ekonomikisht të ardhurat e këtyre komuniteteve të thella lokale. E ftuar e veçantë në Panair ishte ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, z, Hykmete Bajrami, e cila ndoqi punimet e Panairit dhe aktivitetet e posaçme, ndërkohë që Kosova vetë paraqitej me një stendë të sajën për të treguar produktet e saj turistike.

Një moment i veçantë ishte prezantimi i Shqipërisë si destinacion turistik nga Drejtori I Përgjithshëm i AKT, z. Ardit Collaku. Ai prezantoi para të pranishmëve punën e kryer deri më sot nga agjencia që ai drejton për promovimin e Shqipërisë në gjithë panairet ndërkombëtare dhe mediat prestigjioze të huaja. Evente të shumta u zhvilluan në stendën e AKT: prezantime në orare të caktuara të dokumentarëve për bukuritë e Shqipërisë, traditat, kulinarinë etj.; performanca live me grupe muzikore nga gjithë trevat e Shqipërisë, teatër lëvizës kukullash për fëmijët e pranishëm në panair, prezantim nga Organizata Shqiptare e Somelierevë me praninë e dy ministreve Ekonomi dhe Bajrami; promovimi i Kampionatit të 9-të botëror të Fluturimit të Lirë, i cili nis në maj; u realizuan lidhje direkte nëpërmjet Qendrës Multimediale të Panairit me atraksione të tjera të Tiranës, si është Pazari i ri etj. Gjithashtu në stendën e AKT u promovuan zhvillimet e fundit në sektorin e ‘hospitality’, nga shoqata, qendra profesionale të shkollimit apo trajnimeve në sektorin e turizmit etj. Federata Shqiptare e Ciklizimit promovoi aktivitetin e saj ‘Tour of Albania’ që do zhvillohet në fund.

About the Author