Comment are off

AKT me ATSH marreveshje dhe partnere kryesore për promovimin e turizmit

TIRANË, 17 maj/ATSH/- Turizmi është një nga sektorët strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit në rritjen e punësimit dhe mirëqenies.

Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Albin Gega, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit përmes së cilës, ATSH angazhohet për të mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm duke promovuar investimet, por edhe aktivitetet që zhvillohen në fushën e turizmit.

Përpjekjeve për promovimin e Shqipërisë turistike, apo për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion të preferuar turistik, iu është bashkuar edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ATSH do të pasqyrojë në faqen e saj zyrtare aktivitetet e ndryshme në kuadër të promovimit turistik të vendit.

Po ashtu, si ATSH edhe AKT angazhohen të organizojnë, të hapin ose shkëmbejnë ekspozita, që kanë si bazë promovimin e turizmit, investimet dhe pasuritë kulturore.

Duke nisur nga ky vit, paketës promovuese do t’i bashkëngjiten edhe një sërë produktesh si “Festat Lokale” apo produkti më i ri i turizmit, ai dentari “Sorridere e Viagiare”

Ky produkt i ri turistik do të jetë gjithashtu pjesë e paketës promocionale të Agjencisë Kombëtare të Turizmit në bashkëpunim me shoqatën e Dentistëve shqiptarë dhe shoqatat e Operatorëve të fushës së Turizmit.

Një projekt i ri për promovimin e vendit është “Smile Albania”, i cili synon të bëjë natyrën shqiptare të “buzëqeshë” në mbarë botën, ku ATSH do të pasqyrojë gjerësisht eventet e shumta promovuese.

Ky projekt mundëson punësimin e rreth 1 mijë të rinjve në sezonin veror dhe do të jenë të pranishëm në të gjithë territorin e vendit, në bregdet, zonat e mbrojtura dhe mjedise natyrore e kulturore, në ndihmë të menaxhimit dhe prezantimit të aseteve turistike të vendit për turistët e huaj.

Në vitin 2017, Shqipërinë e vizituan 5.1 milionë turistë të huaj me një rritje prej 8.1% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Turizmi pranë detit është i përqendruar në perëndim të vendit dhe veçanërisht në Velipojë, Shën Gjin, Durrës, Vlorë, Rivierë dhe Sarandë, Ksamili është mëse i frekuentuar. Këto qytete ofrojnë dhe një numër të madh shërbimesh, hotele dhe restorante.

Përveç turistëve nga Kosova, që përbëjnë një numër të konsiderueshëm, Shqipëria ka qenë “një zbulim i bukur” për shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermani, Polonia, Anglia dhe Çekia.

Këtë vit agjencitë turistike lajmërojnë se do të ketë një numër të lartë turistësh nga vendet skandinave, por edhe nga përtej kontinentit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shoqëria ajrore daneze “Jet Time” kreu fluturimin e saj të parë javën e kaluar me një grup prej 130 turistësh në bord nga Skandinavia, shenjë kjo se vendi ynë do të mirëpresë shumë turistë nga këto vende.

Më shumë se 10 destinacione të reja janë shtuar përgjatë këtij viti, pikërisht në shërbim të lëvizjes së turistëve.

Jo pak media të huaja prestigjoze kanë ngritur lart vlerat e turizmit shqiptar për sitet historike, plazhet e bukura, natyrën e mrekullueshme apo jetën e natës në kryeqytet.

About the Author